Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Egzon Shallkin, i akuzuar për vrasje të rëndë në Viti, ku si pasojë e goditjes me veturë kishte vdekur Auron Ferizi, ndërsa katër persona të tjerë kishin pësuar lëndime.
Përveç dënimit me burgim, gjykata ka shqiptuar ndaj të akuzuarit edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor, si dhe dënimin plotësues me marrjen e lejes së vozitjes për pesë vjet.
Sipas aktgjykimit, ngjarja ka ndodhur më 8 shtator 2025, rreth orës 20:29, në sheshin “Bafti Haxhiu”, në rrugën “Hasan Kabashi” në Viti.
Sipas gjykatës, i akuzuari, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin V. G., derisa po drejtonte veturën e tij të markës “Opel Insignia”, dy herë kishte shkuar afër tavolinës ku ndodheshin të dëmtuarit, duke iu vërsulur me veturë, por pa i goditur.
Herën e tretë, sipas aktgjykimit, ai kishte devijuar nga shiriti i djathtë në atë të majtë të rrugës dhe kishte rritur shpejtësinë, duke e drejtuar veturën në drejtim të personave që po qëndronin në një tavolinë pranë sheshit.




