Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut ku ata së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Katër vendimet e ndara janë marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot me 5 gusht 2025.
Për të gjithë të akuzuarit Prokuroria kishte thënë se duhet të mbesin në paraburgim me arsyetimin se janë proporcionale dhe të nevojshëm.
Për Thaçin: Rreziku i pengimit të procedurave nuk është zhdukur me mbylljen e çështjes së Prokurorisë në rastin për krime lufte.
Sa i përket Thaçit, gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot ka thënë se vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet.
Përveç kësaj, ajo ka konstatuar se ekziston rreziku që ai të arratiset, t’i pengojë procedurat si dhe të kryej krime të tjera.
Konstatimin për rrezik të arratisjes, Masselot e ka mbështetur në faktin që ende mbeten të vlefshme vlerësimet që nga vendimi i tretë për vazhdimin e paraburgimit.
Këto vlerësime kanë të bëjnë me rëndësinë e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet dhe dënimi i mundshëm në rast që ai shpallet fajtor, qëllimet jo të mira të të akuzuarit ndaj ligjeve dhe procedurave të Gjykatës, mundësinë e tij për t’u arratisur pavarësisht paraburgimit të tij aktual në çështjen 06 ku ai akuzohet për krime lufte etj.
Konstatimin për rrezikun për pengim të procedurave, gjyqtarja e mbështet për faktin se Thaçi dyshohet se ka bashkëpunuar me tri grupe që i udhëheqte për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në çështjen ku ai akuzohet për krime lufte,
“veprimet e z. Thaçit tregojnë për këmbëngulje në përpjekjet për të penguar procedurat e DhSK-së edhe nga brenda Qendrës së Paraburgimit të DhSK-së, përfshirë përmes ndikimit të tij mbi ish-pjesëtarë të UÇK-së që i qëndrojnë besnikë dhe persona nga rrethet e tij politike, si bashkë të akuzuarit në këtë çështje”, thuhet në vendim.
Përveç kësaj, rreziku i pengimit të procedurave thuhet se nuk është zhdukur plotësisht me përfundimin e çështjes së Prokurorisë në rastin ku Thaçi po akuzohet për krime lufte.
“Rreziku i pengimit nuk është zhdukur me mbylljen e çështjes së ZPS-së në çështjen 06, pasi procedurat mbeten ende në zhvillim dhe dëshmitarët që kanë dëshmuar tashmë mund të përballen me hakmarrje ose të nxiten për të tërhequr dëshmitë; (ii) rreziku i pengimit vlerësohet jo vetëm në lidhje me çështjen 06, por edhe me çështjen aktuale; dhe (iii) procesi i vazhdueshëm i zbulimit e rrit më tej këtë rrezik, pasi i jep z. Thaçit qasje në informacion sensitiv që lidhet me dëshmitarët”, thuhet në vendim.
Përveç kësaj, Masselot ka thënë se asnjë masë alternative nuk mund t’i zbus mjaftueshëm rreziqet ekzistuese dhe vazhdimi i paraburgimit për Thaçin është i nevojshëm.
Vlen të theksohet se mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga Sophie Menegon dhe Luka Mishetiq nuk ka parashtruar asnjë përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit.
Ngjashëm si mbrojtja e Thaçit, edhe mbrojtja e Fazliut cila përfaqësohet nga avokati David Young nuk ka parashtruar asgjë ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.
Ngjashëm si mbrojtja e Thaçit, edhe mbrojtja e Fazliut cila përfaqësohet nga avokati David Young nuk ka parashtruar asgjë ndaj kërkesës së Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.
Ndryshe, ngjashëm si për Smakajn edhe për Fazliun thuhet se në vendimin për konfirmimin e aktakuzës ishte konstatuar se Fazliu mban përgjegjësi penale brenda juridiksionit të DhSK-së.
Përveç kësaj, në vendimin për vazhdimin e paraburgimit u konstatua se vazhdon të ketë rrezik të arratisjes, pengim të procedurave të DhSK-së dhe rrezik për kryerjen e krimeve të tjera për Fazliun.
Ndër, vlerësime të tjera, vlerësohet që Fazliu ka rrezik t’i shmanget drejtësisë duke e marrë parasysh lidhjet e tij të ngushta me ish-komandantet e UÇK-së po ashtu edhe veteranët e UÇK-së me ndikim politik nga të cilët mund të kërkojë dhe sigurojë burime të mjaftueshme për arratisje.
“…natyra e akuzave të konfirmuara kundër z. Fazliu, i cili ishte pjesë e një grupi të udhëhequr nga z. Thaçi, që synonte të ndikonte në mënyrë të paligjshme mbi dëshmitarët; (ii) njohuritë e treguara të z. Fazliu për synimet penguese të z. Thaçi, si dhe qëllimi i tij për t’i ndjekur ato; (iii) këmbëngulja dhe prirja e tij për të penguar procedurat e DhSK-së duke mbështetur interesat dhe urdhrat e udhëheqjes së lartë të UÇK-së; (iv) aftësia e tij për të fituar pëlqimin nga persona besnikë ndaj tij, përfshirë djalin e tij, me qëllim të pengimit të procedurave të DhSK-së”, thuhet në vendimin ku u konstatua se Fazliu ka rrezik që të pengojë procedurat e DSK-së.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Masselot thotë se asnjë prej kushteve të propozuara për lirimin me kusht të Fazliut nuk mund të jenë të mjaftueshme për t’i zbutur plotësisht rreziqet që dalin për këtë rast si dhe paraburgimi i tij është i nevojshëm.
Ndonëse ankesë në Apel, Kilaj nuk heq dorë nga rishikimi periodik i paraburgimit, mbrojtja kërkon lirim me kusht
Vlen të theksohet se me 19 qershor 2025, mbrojtja e Kilajt e përfaqësuar nga Alexander Admiraal me 19 qershor 2024, paraqiti një ankesë ndaj vendimit të tretë të Speciales për vazhdimin e paraburgimit. Kjo ankesë është ende në shqyrtim por Kilaj me 27 qershor 2025 ka bërë të ditur se nuk heq dorë nga e drejta e tij për rishikim periodik të paraburgimit të tij pavarësisht se nuk ka ndonjë vendim në ankesën e tij.
Sipas vendimit të fundit për vazhdimin e paraburgimit për Isni Kilajn, Prokuroria thotë se asnjë garanci e dhënë prej tij dhe asnjë kusht për lirim nuk mund të zbus mjaftueshëm rreziqet që dalin nga ky proces konkretisht atë të arratisjes, pengimin e procedurave dhe kryerjen e krimeve të tjera.