Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur qytetin Billings në shtetin amerikan të Montanës, ku disa persona, mes tyre edhe fëmijë, janë vrarë brenda një banese. Personi i armatosur dyshohet se më pas i ka vënë flakën banesës dhe ka vrarë veten me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur pranë zonës West End, ndërsa autoritetet e kanë përshkruar fillimisht si një incident familjar.
Sherifi i përkohshëm i Qarkut Yellowstone, Kent O’Donnell, ka deklaruar se në banesë kanë humbur jetën “shumë persona, mes tyre dhe disa të mitur”.
Numri dhe identiteti i viktimave ende nuk janë bërë zyrtarisht të ditura. Ndërkohë, një faqe për mbledhjen e fondeve në GoFundMe pretendon se në incident kanë humbur jetën të paktën tetë persona, përfshirë dy fëmijë.
Policia është njoftuar pasi një qytetar ka raportuar se kishte dëgjuar të shtëna me armë. Oficerët kanë mbërritur në vendngjarje rreth 10 minuta më vonë, ku kanë dëgjuar të shtëna nga pjesa e pasme e banesës.




