Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, vlerëson se “sulmet ndaj kryetarit të Prishtinës nga aktivistë, anëtarë e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë të ulëta dhe të dobëta”.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Sadiku shkruan se “që pesë vite kanë ndërtuar një narrativë se ai do të arrestohet, se ka lidhje me krimin dhe se është i përfshirë në gjithçka të mundshme. E kanë linçuar publikisht, i kanë hyrë në jetën private dhe nuk ia kanë kursyer as familjen”.
Ai thotë se “deri më sot, pas gjithë këtyre akuzave, rasti i vetëm që kanë ndertu është ai për rritjen e çmimit të biletave të autobusëve. Paramendoni”.
Ai shkruan se “kritika politike është legjitime. Kërkimi i llogaridhënies është i domosdoshëm. Por akuzat publike duhet të mbështeten në fakte, ndërsa përgjegjësia penale të përcaktohet nga drejtësia, jo nga propaganda partiake”.
Sipas tij, “Prishtina meriton debat për punën, rezultatet dhe problemet e qytetarëve, jo sulme personale e familjare”.




