Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) i njofton qytetarët se rastet me fruth vazhdojnë të regjistrohen në vendin tonë, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 08 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 299 raste me fruth, prej të cilave 30 janë regjistruar gjatë javës së fundit.
Raste të fruthit janë regjistruar tek qytetarë, pjesa dërmuese fëmijë, nga 23 komuna të Kosovës.
Mbi 95% e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, që mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vaksinimit si masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen.
Krahas vaksinimit sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara.
