Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, e ka cilësuar si përbuzje dhe provokim të rëndë nga Specialja, mbajtjen e seancës ndaj Hashim Thaçit me 28 nëntor.
Mahmuti ka thënë edhe se, dihet botërisht se tash e pesë vjet Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi mbahen prapa grilave padrejtësisht.
‘’ Fakti se përbuzja dhe provokimi që na u bë si komb erdhi nga prokurorë dhe gjyqtarë që pretendojnë të veprojnë në emër të popullit të Kosovës, më kujtoi përbuzjen dhe provokimin që na e bëri para njëzet vjetësh Prokurorja e Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Letra e Mahmutit:
I nderuari President i Kosovës, z. Hashim Thaçi,
“Dreqi, me të vërtetë fshihet në detaje”!
Duke caktuar seancë gjyqësore më 28 nëntor 2025 kundër Jush, si njërës nga figurat më të rëndësishme të historisë bashkohëkohëre kombëmbëtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri përbuzjen dhe provokimin më të rëndë që mund t’i bëhet historisë dhe vlerave të një kombi.
Fakti se përbuzja dhe provokimi që na u bë si komb erdhi nga prokurorë dhe gjyqtarë që pretendojnë të veprojnë në emër të popullit të Kosovës, më kujtoi përbuzjen dhe provokimin që na e bëri para njëzet vjetësh Prokurorja e Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla Del Ponte.
Më 4 mars 2005, Carla Del Ponte konfirmimoi aktakuzën kundër Ramush Hardinajt, ndërkaq me 5 mars e bëri publik këtë lajm. Për t’u shitur si profesioniste të cilës nuk i shpëtojnë asnjë “detaj”, ajo përdori proverbin e njohur se “dreqi, me të vërtetë fshihet në detaje”, si përgjigje ndaj reagimeve të shumta të personaliteteve politike vendore dhe ndërkombëtare. Dhe kishte plotësisht të drejtë, sepse është e njohur thënia se “në vendin e proverbave, mbretër janë fshehësit e kuptimit të proverbit”!
Të gjithë njohësit e historisë së luftës së Kosovës e dinë se pas keimeve në Likoshan dhe Qirez, datat 4 dhe 5 mars janë ngulitur thellë në vetëdijen e shqiptarëve si data kur mori formë të qartë zbatimi i gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës 1998-1999.
Më 4 dhe 5 mars të vitit 1998 forcat e mëdha policore dhe ushtarake serbe rrethuan fshatin Prekaz të Drenicës. Fjala është për ngjarjet që ndodhën më 4 dhe 5 mars 1998, për të cilat komandanti i pensionuar i policisë serbe, Slobodan Stojanović-i, dëshmoi se “në Prekazin e Epërm dhe të Poshtëm u vranë gra, fëmijë, kafshë dhe çdo gjë që lëvizte atje …”; fjala është për të njëjtën ngjarje për të cilën Ratomir Tanić-i, përfaqësues i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën , deklaroi se “në vend të arrestimit të vëllezërve Jashari dhe të tjerëve, forcat tona sulmuan shtëpitë ku ata jetonin dhe masakruan gratë, fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Në vend që të kufizoheshin aksionet në caqet e caktuara, u sulmuan edhe fqinjët e tyre…”.
Fjala është për datat kur populli shqiptar i Kosovës i përkujton këto ngjarje me dhembje dhe krenari, përderisa regjimi i zyrtar i Beogradit dhe dhe ata që kanë hyrë në shërbim të këtij regjimi, tragjedinë tonë kombëtare e interpretonte si “sukses në luftën kundër terrorizmit”.
Të përzgjidhen datat 4 dhe 5 mars për të konfirmuar dhe shpërndarë lajmin për aktakuzën kundër njërit prej udhëheqësve të UÇK-së që ishte zgjedhur kryeministër, është një “detaj” që as “dreqit” nuk do t’i shkonte ndër mend që të bënte përzgjedhje më provokuese për ndjenjat e shqiptarëve.
Edhe më provokuese është fakti se të gjitha “detajet” e lëndës kundër Ramush Haradinajt janë “detaje” të publikuara në “Librat e Bardhë” të Shërbimit Sekret Serb dhe mbi bazën e këtyre “detajeve” Carla Del Ponte ngriti padinë kundër Ramush Haradinajt. Një konstatim i tillë nuk është supozim, por e vërtetë e pakontestueshme, të cilin e pohon edhe vetë Carla Del Ponte. Në librin e saj “Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”, ajo pranon se gjatë vizitave në Beograd “u njoftua për aktivitetet kriminale të anëtarëve të UÇK-së”, “për njerëzit që ishin zhdukur në Kosovë në mes të vitit 1998 dhe 2001”, “për rrëmbimin e burrave, grave dhe fëmijëve…”, “për listën me 200 emra rrëmbyesish, të gjithë anëtarë të UÇK-së”, “për ekzekutimet e supozuara në afërsi të liqenit të Radoniqit dhe listën prej 196 vendeve të ekzekutimeve të mundshme…”.
Në përputhje të plotë me “të dhënat” që kishte nxjerrë nga librat propagandistik serb dhe duke zbatuar teknikë Copy/Past të “dëshmive” të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb, ajo përpiloi aktakuzën kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt si pjesëtarë të “Ndërmarrjes kriminale të përbashkët”- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
