Nga vendi i prodhimit e deri në tryezën e konsumatorit, ushqimet duhet të kalojnë një zinxhir të kontrollit të cilësisë, por zakonisht ka një dyshim se sa të sigurta janë produktet që konsumohen nga tregu i Kosovës.
Në podkastin 5 pyetje, profesori i Teknologjisë Ushqimore, Valdet Gjinovci, thotë se të gjitha produktet të cilat importohen, në bazë të analizës së riskut i nënshtrohen edhe kontrollit të detajuar të tyre sa i përket sigurisë, së pari ana dokumentare, pastaj edhe analizat e ndryshme laboratorike.
Ai pohon se duhet informim i menjëhershëm i publikut për çdo gjetje që lidhet me rrezikshmërinë e mundshme të ushqimeve.
Në lidhje me rastet kur për një produkt ushqimor ngrihet alarm dyshimi në shtetet e tjera, Gjinovci thotë se edhe institucionet në Kosovë kryejnë kontrolle kur ai produktet shitet edhe në vend.
“Po të kishte produkt të tillë, domethënë nga ai lot i cili është raportuar në një shtet, menjëherë do të merreshin veprime sa i përket kontrollit të tyre dhe largimit të tyre të produkteve nga tregu”, tregon ai.
Si ish-kryeshef i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Gjinovci thekson se publiku duhet të informohet për të mënjanuar pasigurinë tek konsumatorët.
Kontrolli i pemëve dhe perimeve të importuara
Gjinovci thotë se nga pemët dhe perimet që importohen, merren mostrat në mënyrë rutinore për kontroll, kur ekziston dyshimi për mbetje të pesticideve.
Ai thekson se këto kontrolle janë të planifikuara dhe realizohen gjatë gjithë vitit, duke u bazuar në sezon dhe vlerësime të riskut nga autoritetet kompetente.
Një nga elementët më të rëndësishëm për sigurinë ushqimore, sipas Gjinovcit, mbetet etiketimi i produkteve.
