Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por ka shprehur shqetësim për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia dhe luftën hibride në rajon, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarata i bëri pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti para Komisionit.
Ai ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përfshirë kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike.
“U informuam për situatën e sigurisë, sidomos kërcënimet që mund të vijnë edhe që janë permanente nga ana e Serbisë, që realisht gjithë jemi ë të shqetësuar me këtë çështjen e e luftës hibride që po ndodhin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion dhe më gjerë, dhe diskutuam edhe morëm informacione për situatën e sigurisë edhe këtu, por edhe më gjerë, në nivelin, po mendoj në nivelin rajonal, por edhe global”, tha Rama.
Deputeti i PDK-së ka bërë të ditur se anëtarët e Komisionit kanë parashtruar pyetje dhe kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur AKI-në në përmbushjen e detyrave të saj.




