Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të katërt të Konferencës Ndërkombëtare për Administratën Publike, KosovaPAR2026, e organizuar nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e administratës publike për funksionimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit.
Ai ka deklaruar se reforma e administratës publike në Kosovë nuk duhet të shihet vetëm si proces teknik apo administrativ, por si pjesë e përpjekjeve për forcimin e institucioneve, përmirësimin e qeverisjes dhe avancimin e vendit drejt integrimit evropian.
“Suksesi i reformave nuk matet vetëm me politikat, të cilat i miratojmë, por me ndryshimin praktik e konkret, që ato e sjellin në jetën e qytetarëve. Kjo kërkon institucione profesionale, përgjegjësi të qarta, kapacitete të qëndrueshme dhe llogaridhënie për rezultatet”, ka thënë Kurti.




