Në Kosovë janë shtuar përpjekjet për ta ndryshuar një ligj, mbi bazën e të cilit Kuvendi i shtetit e themeloi para një dekade një gjykatë në Hagë, e cila, në shkallë të parë, i dënoi për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Por, arritja e këtij qëllimi është shumë më e vështirë sesa mund të duket, paralajmërojnë ekspertë juridikë për Radion Evropa e Lirë (REL).
Nisma për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE), është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti, përcjell A2.
Para se të mundë të arrijë në Kuvendin e Kosovës për votim, kjo iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjektit më të madh opozitar, duhet ta marrë pëlqimin e Qeverisë dhe t’i kalojë komisionet parlamentare.
Derisa kalimi i këtyre hapave mund të jetë i lehtë, mënyra e arritjes deri tek ndryshimet në këtë ligj, dhe ndikimi eventual i tij pastaj, janë ato çfarë e bëjnë tejet të ndërlikuar çështjen.
Zotimet ndërkombëtare dhe letërkëmbimi
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë dhe kompetencë për të iniciuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – por, para se ta bëjnë këtë, ata duhet të sigurohen që nuk i shkelin zotimet ndërkombëtare të Kosovës, thotë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Miftaraj thekson për REL-in se “ndryshimi i ligjit nuk guxon t’i cenojë obligimet që ka marrë Kosova në bazë të Nenit 162 të Kushtetutës”, dhe se “çdo plotësim-ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Kosova”.
Përmes një shkëmbimi letrash në prillin e 2014-s mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton, Kosova mori një sërë zotimesh lidhur me Dhomat e Specializuara.
Shkëmbimi i këtyre letrave ishte në thelb marrëveshja që e krijoi atë që sot në Kosovë njihet si Gjykata Speciale.
Ndër zotimet që mori Kosova asokohe ishte edhe të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).
Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Miftaraj thotë se, që këto ndryshime të kenë ndikim dhe të jenë të zbatueshme në praktikë, Kosova së pari duhet të bashkëpunojë me shtetet kryesore të Këshillit të BE-së apo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këtë nismë.
As PDK-ja, dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse kanë konsultuar shtetet e BE-së, apo vetë Dhomat e Specializuara për ndryshimet e propozuara.
Kryeministri Kurti, i pyetur për këtë nismë, tha më 30 shtator se zyra e tij ligjore e ka marrë propozimin, dhe se po e shqyrton atë, ndërsa do t’i kthejë Kuvendit përgjigje më vonë gjatë javës.
“Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë. Mandej do
t’ia japim përgjigjen Kuvendit, dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, tha Kurti, pa dhënë hollësi të tjera.
Nuk është e qartë nëse Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, gëzon shumicën në Kuvend, do t’i mbështesë këto ndryshime të iniciuara nga PDK-ja.
Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) nuk deshi të komentonte kur u pyet nga REL-i se si do t’i shpjegonte në aspektin juridik ndryshimet e synuara.
“Kosova s’mund ta ndryshojë këtë gjykatë”
Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, tani në pension, thotë për REL-in se Kosova nuk mund të ketë ndikim me një nismë të tillë mbi Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai e përshkruan Specialen si një gjykatë me tiparet e një gjykate ndërkombëtare penale, njëlloj sikurse çdo tribunal ndërkombëtar i Hagës, dhe thotë se Kosova e as ligji i saj nuk kanë autoritet mbi të.




