Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins, ka vlerësuar se zhvillimet e reja politike në Serbi mund t’i japin Uashingtonit arsye për të rishikuar politikën ndaj Beogradit dhe për të shtuar angazhimin në stabilizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL), Joseph ka thënë se pret që Kongresi amerikan, tashmë nën kontrollin e demokratëve, të ushtrojë më shumë presion për shqyrtimin e politikës së administratës së presidentit Donald Trump ndaj Serbisë.
Sipas tij, ndryshimet politike në Serbi mund ta shtojnë vëmendjen e Uashingtonit ndaj rajonit dhe të krijojnë mundësi për një angazhim më të madh në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë kontekst, Joseph i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të shfrytëzojë rrethanat e reja politike dhe të ndryshojë qasjen ndaj komunitetit serb në Kosovë.




