Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me homologun e tij zviceran, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.
Në një konferencë të përbashkët për media, Konjufca e ka cilësuar takimin si të rëndësishëm dhe produktiv, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës që nga njohja e pavarësisë.
“Zvicra ka qenë nga fillimi partnere e palëkundur e Kosovës që nga njohja e pavarësisë sonë. Ka mbështetur zhvillimin tonë dhe angazhimin ndërkombëtar. E çmojmë thellësisht këtë miqësi”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër, të cilën e ka cilësuar si pjesë të pandashme të historisë së Kosovës dhe një lidhje të veçantë ndërmjet dy shteteve.
“Sot mërgata e Kosovës në Zvicër është shumë më tepër se një urë lidhëse mes dy vendeve tona, është pjesë e pandashme e historisë sonë”, ka theksuar ai, duke shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe mbështetjen që Zvicra u ka ofruar bashkatdhetarëve ndër vite.




