Ish-ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, ka reaguar në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, Greiçevci e ka cilësuar procesin gjyqësor në Hagë si politik, duke pretenduar se ai është i maskuar nën petkun juridik. Ai ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të krijojë urgjentisht një komision hetimor me ekspertizë ndërkombëtare për të zbardhur rrethanat që çuan në krijimin dhe zhvillimin e këtij procesi.
“Sot u bënë gjashtë vite të gjata e të rënda nga privimi i padrejtë nga liria i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky proces politik, i maskuar nën petkun juridik, do të mbetet në analet e historisë dhe të së drejtës si një njollë e pashlyeshme turpi, e cila i kalon me qindra herë përmasat e aferës së Dreyfus-it”, ka shkruar Greiçevci.
“Në rastin e Presidentit Hashim Thaçi, fletëarresti ishte lëshuar në mënyrë kundërkushtetuese. Jack Smith, me ndihmën e noterit të tij, Nicolas Guillou, atëbotë gjyqtar i procedurës paraprake, ndërsa tani gjyqtar i sanksionuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, kishin shpërfillur në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, KO 98/11, në bazë të të cilit Presidenti i Kosovës nuk mund të arrestohej sa ishte në detyrë. Presidenti Thaçi, me pjekuri shtetërore dhe për të mos e futur Kosovën në ndonjë krizë institucionale, kishte vendosur që të jepte dorëheqje dhe ishte dorëzuar vullnetarisht”.
Greiçevci ka rrëfyer edhe përvojën e tij personale gjatë kohës kur shërbente si ambasador i Kosovës në Holandë, duke kujtuar kontaktet e para me ish-krerët e UÇK-së pas transferimit të tyre në Hagë.
“Para gjashtë vitesh, unë gjendesha në Hagë si ambasador i Kosovës. E mbaj mend si sot kontaktin e parë me krerët e UÇK-së pas transferimit të tyre atje, i cili na u lejua vetëm me video dhe me telefon. Ishin momente thellësisht të rënda e prekëse. Më pas, ata jo vetëm që u mbyllën në paraburgim larg vendit, por edhe me muaj të tërë ua ndaluan të gjitha vizitat, madje edhe nga familjet e tyre dhe nga vetë ambasada, duke u thirrur në masat kundër COVID-it”, ka shkruar ish-ambasadori.
Ai ka treguar se kishte insistuar vazhdimisht pranë gjykatës dhe institucioneve holandeze që t'u mundësoheshin vizitat ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe vizitat familjare.




