Policia e Kosovës ka njoftuar për masat e ndërmarra për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa ka bërë të ditur edhe bilancin e protestës së mbrëmshme.
Sipas Policisë, gjatë protestës së mbrëmshme disa protestues kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.
Për të vënë situatën nën kontroll, Policia thotë se është detyruar të përdorë mjete të ligjshme policore, përfshirë sprejin, gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Si pasojë e zhvillimeve, tre persona janë arrestuar. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.
“Njëzet zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.




