Prokuroria e Shtetit ka vendosur të mos lejojë vazhdimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, deri në një vendim të gjykatës.
Pas këtij vendimi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nuk do të ndërhyjnë për vazhdimin e punimeve, duke marrë parasysh se sot është festë kombëtare.
Komandanti i Policisë, Balaj, e ka njoftuar Ramën për vendimin e Prokurorisë së Shtetit, duke përmendur kontestin ndërmjet Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës së Prishtinës.
“E pranuam zyrtarisht vendimin prej Prokurorit të Shtetit që, deri në një vendim të gjykatës, të mos lejohen zhvillimet e punimeve për shkak të problematikave mes dy palëve, mes Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Komunës. Nuk më lejohet ta nxjerr këtë dokument jashtë pa autorizim. Mediat le t’i drejtohen Prokurorisë”, dëgjohet duke i thënë Balaj Ramës.




