Për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq ndodhen nën sanksionet e SHBA-së prej më shumë se katër vitesh.
Në Serbi, sipas informacioneve të N1, ata ruheshin nga policia, përkatësisht nga xhandarmëria. Sipas autoriteteve serbe, kjo praktikë ka përfunduar para dy ditësh, kur presidenti i Serbisë konfirmoi se, citojmë, “kjo nuk është më rasti”, duke shtuar se biznesmenët kontroversë nga Kosova nuk janë kriminelë.
Por, kush janë Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq?
“Milan Radoiçiq nuk është, natyrisht, as akademik, as piktor, as shkrimtar…”, deklaronte për të presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2023.
Tre vjet më parë, Vuçiq thoshte se Radoiçiq “nuk është i pafajshëm si një lule”, ndërsa sot pretendon se ai nuk është as kriminel.
“Po e ndjekin për shkak të Kosovës, e jo për atë që ju po përpiqeni të nënkuptoni këtu, se bëhet fjalë për një kriminel”, tha udhëheqësi serb.
Bëhet fjalë për njeriun që ka pranuar përgjegjësinë për sulmin terrorist të vitit 2023 në Banjskë, ku në përplasjen e armatosur humbi jetë një polic i Kosovës dhe tre terroristë.
Për këtë arsye, Radoiçiq po akuzohet në Kosovë për terrorizëm dhe emri i tij ndodhet në listën e kuqe të Interpolit. Për rastin e Banjskës ai u arrestua edhe në Serbi si i dyshuar për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese. Megjithatë, në Serbi, Milan Radoiçiq është një njeri i lirë, i cili, siç duket, vazhdon të ketë nevojë për mbrojtje.
Prandaj, ata dhe kumbara i tij Zvonko Veselinoviq mbrohen nga pjesëtarë aktivë të xhandarmërisë.
“Këta njerëz, kumbarët kosovarë, Radoiçiq dhe Veselinoviq, prej kohësh janë ndër njerëzit më të fuqishëm në këtë vend. Kjo fuqi veçanërisht shfaqet përmes ndikimit të tyre në përzgjedhjen dhe emërimin e njerëzve në sektorin e sigurisë, i cili në fakt është i mbushur plot me njerëz të besuar të tyre”, vlerëson gazetari i të përjavshmes “Radar”, Milan Radonjiq.
“Suksesi biznesor i kumbarëve kosovarë”
