Deklarata e kryeministrit Albin Kurti gjatë hapjes së edicionit të katërt të “Swiss Medical School” për kthimin e pretenduar të 171 mjekëve nga diaspora gjatë vitit 2025 ka nxitur reagime të ashpra nga radhët e profesionistëve të rinj shëndetësorë në vend.
Përfaqësuesit e studentëve të mjekësisë e kanë cilësuar këtë pretendim si të shkëputur nga realiteti i përditshëm me të cilin përballen mjekët e rinj në Kosovë.
Kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Besfort Racaj, përmes një reagimi publik ka sfiduar drejtpërdrejt kryeministrin Kurti duke kërkuar argumente zyrtare për shifrat e prezantuara.
Racaj ka bërë të ditur se institucionalisht u ishte dhënë afat krerëve të Qeverisë deri më 6 nëntor për një takim ku do të trajtoheshin kërkesat e tyre, mirëpo Kryeministri, Ministri i Arsimit dhe ai i Financave kishin zgjedhur heshtjen.
Sipas tij, ftesa e vetme kishte ardhur nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por vetëm pasi tashmë ishte shpallur ai që e quajti “konkurs i imponimit”.
Racaj kritikon këtë konkurs se nuk reflekton nevojat reale të sistemit shëndetësor dhe i detyron mjekët e rinj të zgjedhin mes specializimeve të imponuara, pritjes pa siguri ose përgatitjes së dokumentacionit për t’u larguar drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera.

