
Më shumë se dy javë pas kthimit të Ligjit për Specialen në Kuvend, ende nuk janë bërë publike amendamentet që PDK-ja synon t’i propozojë. Nisma që fillimisht u miratua me 88 vota tashmë është përballur me kritika politike, mospajtime për procedurën dhe shqetësime nga Bashkimi Evropian, ndërsa OVL-UÇK-ja shpreh pakënaqësi me ritmin e rishqyrtimit.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar vazhdojnë të mbeten pa një epilog përfundimtar në Kuvendin e Kosovës.
Nisma e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila më 6 tetor mori mbështetjen e 88 deputetëve, u kthye për rishqyrtim nga presidentja Justina Shiroka-Pula më 22 tetor, pas kërkesës së vetë grupit parlamentar të kësaj partie.
Megjithatë, deri më 7 nëntor, PDK-ja ende nuk ka prezantuar publikisht formulimet konkrete të ndryshimeve që synon t’i bëjë në tekstin e miratuar më parë.
Kjo ka hapur pikëpyetje për vazhdimin e procesit, veçanërisht pasi partia që e inicioi dhe e mbrojti ligjin tashmë kërkon plotësimin e disa dispozitave përpara se ai të rikthehet për votim.
PDK-ja thotë se nuk po tërhiqet nga ligji
Më 22 tetor, presidentja Justina Shiroka-Pula njoftoi se kishte pranuar kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të PDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend.
Sipas Presidencës, kërkesa kishte të bënte veçanërisht me dispozitat që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.
PDK-ja, ndërkaq, në reagimin pas vendimit, këmbënguli se kthimi i ligjit nuk përbën tërheqje nga iniciativa.
“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij”, thuhej në komunikatën e kësaj partie.
Më tej, PDK-ja sqaroi se qëllimi ishte që të bëhej një verifikim përfundimtar profesional dhe të adresoheshin elementet që mund të pengonin zbatimin e ligjit.
“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhej në reagim.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, një ditë më vonë dha edhe një zotim publik lidhur me afatin e rishqyrtimit.
“Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë! Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara”, kishte shkruar Çitaku.
Ajo shtoi se partia nuk është tërhequr nga iniciativa dhe se synimi është forcimi i bazës juridike të saj.
Megjithatë, deri më 7 nëntor, propozimet konkrete për dispozitat që duhet të ndryshohen nuk janë bërë publike.
Përçarje edhe brenda PDK-së për kthimin e ligjit
Një prej reagimeve që tërhoqi vëmendje pas vendimit për rikthimin e ligjit ishte ai i deputetit të PDK-së, Përparim Gruda, i cili kishte qenë i përfshirë në hartimin e tij.
Gruda doli me qëndrim publik se teksti i miratuar nuk kishte gabime dhe se nuk kishte arsye për rihapjen e debatit.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj”, kishte shkruar ai.
Deputeti i PDK-së kishte shtuar se do të preferonte që diskutimi të përqendrohej në zbatimin e ligjit dhe jo në rihapjen e tij.
“Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, kishte deklaruar Gruda.
Këto deklarata nxorën në pah dallimet brenda PDK-së lidhur me nevojën për rishikimin e një projektligji të cilin vetë kjo parti e kishte sponsorizuar.
LVV kërkon qartësi për ndryshimet që synohen
Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që PDK-ja të bëjë të ditura ndryshimet konkrete që synon t’i propozojë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, më 23 tetor kishte deklaruar se ekziston një paqartësi juridike lidhur me mundësinë e amendamentimit të ligjit në këtë fazë.
“Kjo çështje do të trajtohet në Komision, Kuvendi do të vendosë a do të ketë ligj. Nuk ka hapësirë për të bërë ndryshime ligjore ose amendamente të tjera, sepse këtë çështje e ka sqaruar Gjykata Kushtetuese në një aktgjykim më të hershëm”, kishte deklaruar Haxhiu për Klan Kosova.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, kishte kërkuar që të sqarohet se cilat dispozita kërkohet të ndryshohen.
Ajo kishte theksuar se Kuvendi duhet të ketë para vetes propozime të qarta, në mënyrë që deputetët të dinë se për çfarë po vendosin.
Nagavci kishte ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë së PDK-së si sponsorizuese e ligjit.
Kujtojmë se LVV-ja e kishte mbështetur projektligjin në votimin e 6 tetorit, ndonëse kishte shprehur rezerva për efektet që ai mund të prodhonte në proceset gjyqësore në Hagë.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Nagavci kishte thënë:
