Ish-koloneli i Ushtrisë Jugosllave, Srbobran Radić, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke pretenduar se përmasat e tij tejkalojnë përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe mund të ndikojnë në mënyrën se si do të interpretohet ndërkombëtarisht lufta e Kosovës.
Radić, i cili gjatë luftës në Kosovë kishte shërbyer në strukturat ushtarake jugosllave, ka shprehur qëndrime kundërshtuese ndaj UÇK-së dhe ish-udhëheqësve të saj, ndërsa ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si do të përfundojë procesi në Hagë.
Duke folur për mundësinë e lirimit të ish-krerëve të UÇK-së, ai e ka krahasuar këtë skenar me rastin e gjeneralëve kroatë, të cilët fillimisht ishin dënuar, por më pas u liruan në procedurën e apelit.
“Kam frikë se kjo mund të përfundojë si një farsë, sikurse rasti i gjeneralëve në Kroaci, të cilët në fund u liruan”, ka deklaruar Radić për Kurir.
Ai ka përmendur tri skenarë të mundshëm për përfundimin e procesit: konfirmimin e vendimit gjyqësor, lirimin e të akuzuarve nga disa pika të aktakuzës ose lirimin e plotë të tyre.
Sipas interpretimit të tij, në rast se konfirmohen akuzat, kjo mund të ndikojë në perceptimin ndërkombëtar për UÇK-në, duke pretenduar se procesi ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë ka marrë përmasa që lidhen edhe me vlerësimin e vetë luftës çlirimtare.
Në deklaratat e tij, ish-koloneli jugosllav ka drejtuar akuza edhe ndaj fuqive perëndimore, veçanërisht Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Vatikanit, të cilat i ka akuzuar për ndikim në proceset që çuan drejt shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Radić pretendon se lëvizja shqiptare për shkëputje nga Serbia kishte marrë mbështetje nga jashtë dhe se fuqitë perëndimore kishin ndjekur interesa të caktuara politike në rajon.
Ai ka përmendur edhe ish-diplomatin amerikan Richard Holbrooke, duke pretenduar se përfaqësuesit amerikanë kishin ndikuar në ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj UÇK-së.



