Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se drafti i nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara është gati bashkë me nënshkrimet e deputetëve. Synimi i kësaj partie është që projektligji të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) pret që drafti i ri të jetë i zbatueshëm dhe të ketë dakordimin e të gjitha palëve, ndërsa Aleanca ka konfirmuar se do ta mbështesë nismën, duke kërkuar miratimin e saj para pushimeve.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, PDK-ja bëri të ditur se nisma do të dorëzohet së shpejti në Kuvend, pa specifikuar një datë të saktë.
“Drafti i nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara është gati dhe nënshkrimet e deputetëve janë mbledhur. Nisma do të dorëzohet së shpejti në Kuvend. Synimi ynë është që projektligji të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor. Me këtë nismë kërkojmë garanci për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, për respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe për mbikëqyrje institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. E mirëpresim gatishmërinë e Bashkimit Evropian për konsultime. Tashmë i kemi bërë ftesë zyrtare dhe publike për t’i nisur ato. Jemi të gatshëm të ulemi menjëherë me përfaqësuesit e BE-së për të diskutuar çdo shqetësim konkret dhe çdo rekomandim juridik. Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka nisur takimet edhe me drejtuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, akademikë dhe diplomatë të huaj. Mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut i PDK-së”, thuhet në përgjigje me shkrim.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka theksuar se pret që projektligji i ri të jetë i zbatueshëm dhe të adresojë atë që ajo e ka cilësuar si padrejtësi ndaj Kosovës me krijimin e Dhomave të Specializuara. Ajo ka shtuar se mbetet të shihet nëse PDK-ja i ka adresuar të gjitha çështjet për të cilat ishte kërkuar tërheqja e nismës paraprake.
“Presim që të jetë një projektligj i cili jo vetëm që do të dakordohet me të gjitha palët, por mbi të gjitha do të jetë një projektligj i zbatueshëm edhe që do të arrijë efektin e tij në adresimin e padrejtësisë që është bërë ndaj Kosovës me krijimin e Dhomave të Specializuara. Unë besoj që përkundër qëllimeve të mira që i ka pasur kur ka iniciuar këtë projektligj, nxitimi për të miratuar të njëjtin ose arsye të tjera për të cilat nuk mund të paraqesë, kanë sjellë në situatën në të cilën jemi, kur vetë ligji i iniciuar nga PDK u kërkua nga ata të kthehet, dhe shpresoj që ata i kanë adresuar të gjitha çështjet të cilat, për të cilat kanë vlerësuar se duhet të korrigjohen, dhe kjo është një çështje që do ta shohim kur ta kemi ligjin këtu”, ka thënë Nagavci.
