Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në Komisionin për Legjislacion ka bërë të ditur se pas negociatave politike me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, është arritur dakordim që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të procedohet për miratim në Kuvend, pa ndryshime në këtë fazë.
Duke folur në mbledhjen e komisionit, Deliu-Kodra ka theksuar se PDK-ja, si parti sponsorizuese e ligjit, ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me mënyrën se si do të trajtohet vendimi i presidentes për kthimin e ligjit në rishqyrtim.
Ajo ka sqaruar se palët kanë pasur interpretime të ndryshme sa i përket mundësisë së amendamentimit të ligjit në këtë fazë, duke shtuar se nuk është arritur marrëveshje për ndryshime konkrete.
“Gjatë këtyre ditëve, PDK-ja si parti sponsorizuese e këtij ligji ka pasur negociata politike me partinë që e përfaqëson shumicën parlamentare për mënyrën se si ne do ta trajtojmë ligjin në fjalë. Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Dua ta bëj të qartë se nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Ajo ka shpjeguar se gjatë diskutimeve me deputetët e VV-së kanë pasur interpretime të ndryshme për Rregulloren e Kuvendit, veçanërisht për mundësinë e ndryshimit të ligjit në këtë fazë të procedurës.
“Kemi besuar që është e mundur të bëhet amendamentimi i ligjit në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare e ka konsideruar dhe interpretuar Rregulloren në atë mënyrë që nuk lejohet amendamentimi i ligjit në këtë fazë”, është shprehur ajo.




