Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se LDK-ja nuk do ta mbështesë përmbysjen e vetos së presidentes për ligjin, nëse synimi është që në Kuvend të rikthehet dhe të miratohet i njëjti ligj.
Osmani ka thënë se qëndrimi i LDK-së do të varet edhe nga përmbajtja e asaj që do të sillet në Kuvend, por ka theksuar se partia e saj, në parim, është kundër një nisme të tillë.
“Ne po presim tani të shohim se çfarë do të sillet në Kuvend. Natyrisht që qëndrimet gjithmonë varen edhe nga përmbajtja. Por, në parim, në qoftë se synohet që të kalohet ligji i njëjtë dhe të përmbyset vetoja e presidentes, natyrisht që ne nuk jemi për, për të gjitha arsyet që i kemi paraqitur në seancën e atëhershme, por edhe për arsye shtesë, të cilat do t’i prezantojmë sot në seancë, në qoftë se na jepet një mundësi e tillë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka bërë të ditur se ende nuk dihet nëse synimi është përmbysja e vetos së presidentes apo një iniciativë e re ligjore për ndryshimin e ligjit. Megjithatë, sipas saj, LDK-ja nuk mbështet iniciativa që nuk japin kontribut real në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës dhe luftës çlirimtare.
Osmani ka kritikuar, siç i ka cilësuar, iniciativat që krijojnë pritje të rreme, duke thënë se energjia e institucioneve është dashur të përqendrohet në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës, veçanërisht në arenën ndërkombëtare.
“Ju e dini që në parim LDK-ja nuk është pro iniciativave, të cilat në fakt, në esencë nuk arrijnë asgjë në mbrojtje të së vërtetës historike të Republikës së Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare, por thjesht krijojnë pritje të rreme. Dhe, në vend se e gjithë energjia e shtetit të fokusohej deri tani në mbrojtjen e kësaj të vërtete historike, sidomos ndërkombëtarisht, ne shohim që, edhe pse kanë kaluar gati dy muaj nga vendimi, nuk e kemi asnjë intervistë në media të rëndësishme ndërkombëtare, ku para syve të botës do të mbrohej e vërteta historike e Republikës së Kosovës”, është shprehur ajo.
Ish-presidentja ka theksuar se, sipas saj, mungon edhe një prezantim i koordinuar shtetëror në platformat e rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e historisë së Kosovës.
“Ne nuk kemi asnjë prezantim, po flas për krejt shtetëror, por edhe përfaqësues të ndryshëm të partive politike. Sepse unë kam folur edhe për The New York Times, edhe në platforma të rëndësishme ndërkombëtare nga 16 shtatori e tutje, për ta mbrojtur të vërtetën historike të Kosovës. Por, ndërkohë që shteti është dashur të fokusohej në mbrojtjen e kësaj të vërtete, ne kemi iniciativa të cilat as nuk janë në përputhje me Kushtetutën, as nuk janë në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë Osmani.




