Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për paralajmërimet e saj se Kosova do të përballet me një dimër të vështirë në aspektin energjetik.
Guri tha se deklarata të tilla përsëriten çdo nëntor nga ministrja, e cila do të duhej, sipas tij, që të punonte që qytetarët të mos përballen me shtrenjtim të rrymës.
Bile, ai ironizoi me katër stinët, kur iu drejtua partisë në pushtet.
“Ministrja Artane Rizvanolli mbrëmë, edhe sot, shefja e GP-së të VV-së, na paralajmëroi se na pret një dimër i vështirë në aspektin energjetik. Çdo nëntor e dëgjojmë këtë deklaratë. Veç katër stinë janë në Kosovë. Gjithë pas verës edhe vjeshtës vjen dimri.
Ministrja ish dashtë me u përgatit që rryma mos me u shtrenjtu në dimër. Detyra e ministres është që gjatë verës dhe gjatë vjeshtës me punu, që qytetarëve mos me ju ardhë ajo faturë në dimër.
Është e palogjikshme qysh çdo nëntor, prej që është ministre, del me paralajmërime që rryma do të jetë e shtrenjtë këtë dimër”, deklaroi Guri.