Një familje shqiptare u sulmua në Zurich të Zvicrës të shtunën mbrëma, pas ndeshjes eliminatore për Botërorin 2026 të futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë. Shqipëria e fitoi ndeshjen në Leskovc me rezultatin 1:0.
Familja shqiptare, që kishte dalë të festonte në Zurich fitoren e Shqipërisë, u sulmua nga tifozë serbë, raporton “Blick”.
Donika J. kishte udhëtuar me bashkëshortin e saj dhe vajzën 10-vjeçare për ta festuar fitoren e Shqipërisë dhe në veturën Mercedes kishte vendosur flamurin shqiptar.
Në Schwamendingen, pranë një bari, papritmas vetura hasi në një turmë, përfshirë tifozë të Serbisë.
“Papritmas, një i ri vrapoi drejt makinës sonë dhe na theu xhamin e përparmë me një objekt të fortë, ndoshta ishte zinxhir apo rrip. Copëzat e xhamit fluturuan në ulësen e pasme, ku ishte vajza jonë”, tregon Donika.
Ajo thotë se ishte e ulur në ulësen e pasagjerit dhe sulmuesi goditi xhamin e veturës në lartësinë e kokës.
Incidenti e goditi rëndë familjen.
“Shpërthimi ishte aq i fortë sa të gjithë u tronditëm”, tregon ajo, ndërsa fillon të qajë.
