Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes ekipit të tij mbrojtës, i ka kërkuar Dhomave të Specializuara në Hagë lirimin e përkohshëm nga paraburgimi, duke ofruar një garanci financiare prej 50 mijë eurosh dhe duke shprehur gatishmëri për t’iu nënshtruar një sërë kufizimesh të vendosura nga gjykata. Në kërkesën e dorëzuar, mbrojtja argumenton se Thaçi nuk paraqet rrezik arratisjeje dhe se vazhdimi i paraburgimit nuk është më i nevojshëm apo proporcional me fazën aktuale të procesit gjyqësor.
Për të siguruar lirimin me kusht, ish-presidenti ka propozuar një paketë masash, duke përfshirë dorëzimin e pasaportës dhe të gjitha dokumenteve të udhëtimit, ndalimin e largimit nga territori i Kosovës pa leje të gjykatës, si dhe depozitimin e një garancie financiare prej 50 mijë eurosh në llogarinë e Regjistrit të Dhomave të Specializuara.
Po ashtu, Thaçi është zotuar se do të paraqitet çdo javë në Policinë e Kosovës për verifikim dhe do të respektojë çdo urdhër të gjykatës, përfshirë kthimin në paraburgim nëse kërkohet.
Në dokumentin e mbrojtjes parashihen edhe kufizime të tjera të rrepta. Thaçi angazhohet të mos ketë asnjë kontakt, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me bashkë të akuzuarit, dëshmitarët ose personat që lidhen me rastin, si dhe të mos diskutojë për çështjen e tij me askënd, përveç ekipit mbrojtës.
Gjithashtu, ai pranon të mos bëjë deklarata publike, drejtpërdrejt apo përmes personave të tjerë, lidhur me Dhomat e Specializuara, Zyrën e Prokurorit të Specializuar apo procesin gjyqësor, qoftë në media apo në rrjetet sociale.
Sipas mbrojtjes, këto masa janë të ngjashme me ato që u janë vendosur edhe të akuzuarve të tjerë në raste të ngjashme dhe janë të mjaftueshme për të garantuar respektimin e çdo vendimi të gjykatës.
Mbetet që Dhomat e Specializuara të vendosin nëse do ta pranojnë kërkesën për lirimin e përkohshëm të ish-presidentit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Kushtet e publikuara në kërkesë:
Z. Thaçi është i gatshëm t’u përmbahet kushteve të ngjashme me ato që u janë vendosur bashkë të akuzuarve të tij, të cilat janë cilësuar si “një kornizë e provuar dhe e përshtatshme për lirimin e përkohshëm”,⁵⁵ ose çdo kushti tjetër që Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit (GVG) e konsideron të përshtatshëm, përkatësisht:
a) Z. Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, përveç nëse autorizohet për këtë nga një trup gjykues kompetent i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK);
b) Z. Thaçi do t’ia dorëzojë Regjistrarit pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, përfshirë vizat dhe çdo dokument identifikimi që mund të përdoret për udhëtim. Ky detyrim shtrihet edhe mbi çdo pasaportë ose dokument të ri udhëtimi që mund t’i lëshohet nga autoritetet e Kosovës ose autoritete të tjera pas nxjerrjes së këtij vendimi. Nëse prania e z. Thaçi kërkohet në selinë e DhSK-së, Regjistri do t’ia vërë në dispozicion pasaportën vetëm për atë qëllim. Pas kthimit të tij në Kosovë, pasaporta do t’i dorëzohet sërish Regjistrarit;
c) Z. Thaçi do të japë adresën ku do të banojë në Kosovë gjatë gjithë kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga DhSK-ja përpara çdo ndryshimi të vendbanimit;
