Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, lidhur me masën e arrestit shtëpiak të vendosur nga SPAK ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.
Rama ka thënë se është informuar për masën e vendosur ndaj Hysenit dhe se pret që çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës të hetohet dhe të zbardhet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.
Ai ka shprehur respekt për punën dhe figurën e Hysenit, duke theksuar se ajo ka marrë vlerësime të vazhdueshme edhe nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar.
Megjithatë, Rama ka thënë se pavarësia e organeve të drejtësisë nënkupton që kushdo, pavarësisht statusit apo funksionit publik, duhet të hetohet dhe gjykohet nëse ka dyshime ndaj tij.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, ka shkruar Rama në X.




