Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të cilët janë arrestuar sot, janë ndaluar për 48 orë. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
“Ju njoftojmë se pas aksionit te zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për ndalimin e tre personave të cilët kane kryer vepren penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 te KPRK-se dhe “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421 te KPRK-se. Po ashtu, janë sekuestruar edhe telefon si provë e cila do të shërbejë në zhvillimin e mëtejshem të procedures hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroje kërkesë me shkrim gjykates kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj të dyshuarve”, ka thënë Shala.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më herët tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës nën dyshimin e kryerjes së këtyre veprave penale.