Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për fëmijët, studentët, pensionistët dhe punëtorët e sektorit privat, si dhe rritjen e mbështetjes për lehonat. Ky vendim është kundërshtuar nga opozita dhe njohës të ekonomisë, të cilët e kanë cilësuar si veprim me prapavijë elektorale dhe jo zgjidhje afatgjate për gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për deputet, Artan Behrami për Ekonomia Online tha se vendimi i Qeverisë është përpjekje për blerje të votës përmes shpërndarjes së mjeteve financiare.
“Po, ndihmesa më e madhe për qytetarët e Kosovës do të ishte sikur Albin Kurti të rriste pagat në sektorin publik, si dhe të merrte iniciativë për të ringjallur sektorin privat. Mirëpo çfarë bën ai? Ai bën të kundërtën: ai jep lëmoshë dhe në këmbim kërkon vota. Pra, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është një platformë për blerjen e votave dhe sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ky është një vendim edhe antiligjor, edhe i dënueshëm. Megjithatë, qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i marrin ato para, por mos t’ia japin votën këtij njeriu, i cili tashmë e ka shndërruar në platformë joshjen në prag të zgjedhjeve dhe deri në zgjedhje gjithmonë e ka injektimin e frikës”, deklaroi Behrami.
Ai shtoi se Qeveria po operon me, siç tha ai, “dy platforma politike”.
“Pra, zoti Kurti operon me dy platforma: platforma e parë është mbjellja e frikës, e pasigurisë, e kaosit dhe e krizës; ndërsa në anën tjetër ofron lëmoshë përmes shpërndarjes së parave. Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet ta dinë që vetëm në këto dy vitet e fundit, me paratë që ka shpërndarë Albin Kurti te qytetarët, Kosova kishte mundur të ndërtonte një termocentral të ri dhe të pavarësohej nga Serbia për energji elektrike. Pra, ai nuk di të qeverisë; çdo vendim është ad-hoc, çdo vendim është i shpejtë dhe çdo vendim e ka vetëm një skadencë: përfundimin e zgjedhjeve, dhe aty më pas përfundon edhe qeverisja e tij”, tha ai.
Kritika ndaj këtij vendimi pati edhe ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati për deputet, Besnik Tahiri, i cili për Ekonomia Online tha se Qeveria për vite me radhë ka diskriminuar sektorin privat dhe tani po tenton të fitojë mbështetje politike përmes këtyre pagesave.
“Ky vendim i Qeverisë është reflektim i gabimeve të njëpasnjëshme që kjo Qeveri i bën për kategoritë që sot po i ndihmon me nga 100 euro. Sektori privat është parë prej kësaj Qeverie si armik. Diskriminimi në mes të një zyrtari që punon në ministri apo në komunë dhe një punëtori që punon në ndërtimtari apo në gastronomi, ka qenë më i ziu në Afrikë. Ky vendim është fushatë zgjedhore. Ky vendim e ka vetëm një qëllim: për t’ia ndërruar mendjen një shoqërie, një populli, e në veçanti një votuesi, në mënyrë që përmes këtyre mjeteve të ndikojë që kjo Qeveri të marrë vota”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, mjetet do të duhej të investoheshin në krijimin e vendeve të punës dhe në reforma afatgjata sociale.
“Ajo që do të ishte dashur është që ajo 65 milionë euro të ndahej për krijimin e vendeve të punës. Një vend pune krijohet prej 8 deri në 10 mijë euro dhe me këtë shumë do të mund të krijoheshin mbi 6 mijë vende pune. I është dashur me vakt me ndryshu një nen, e të gjithë arsimtarët, profesorët, njerëzit që nuk po mund me i mbërri 15 vjet stazh, me pas pensionin e plotë. I është dashur veteranët e UÇK-së mos me u detyru me u kthye prapë te pensioni i veteranit. Normal që njerëzit gëzohen për 100 euro, sepse çmimet janë rritur dhe jeta është bërë më e vështirë, por kur e dinë nijetin, e nijeti nuk është me zbut varfërinë, por me marrë vota 20 ditë para zgjedhjeve”, tha ai.
Edhe ekonomisti Bashkim Mustafa për Ekonomia Online e ka cilësuar vendimin si të kundërligjshëm dhe pa efekt afatgjatë në përmirësimin e gjendjes ekonomike.
