Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) në mbledhjen e rregullt ka shqyrtuar gjithsej 11 ankesa. Anëtarët e Kuvendit të KMShK-së kanë vendosur që të miratohen katër nga to, një të miratohet pjesërisht, tri ankesa të shpallen të patrajtueshme dhe tri të tjera të paafatshme.
Ankesat kishin të bënin me pretendimet për shkeljen e kapitujve të caktuar të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht Kapitullit II – Raportimi i së vërtetës, Kapitullit IV – E drejta për t’u përgjigjur, Kapitullit Kapitullit VI – Trajtimi i tragjedive personale, mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve, Kapitullit VII – Privatësia dhe mbrojtja e burimeve dhe Kapitullit X – Konflikti i interesit.
KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “I merret licenca avokatit Nasuf Hasani – publikohen audio ku dëgjohet duke share rëndë stafin e Odës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II, IV dhe X të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur, përkatësisht konfliktin e interesit.
KMShK ka miratuar ankesën e Nasuf Hasanit kundër Indeksonline.net për shkrimin me titull “I merret licenca avokatit Nasuf Hasani – publikohen audio ku dëgjohet duke share rëndë stafin e Odës”, duke konstatuar se janë shkelur kapitujt II dhe IV të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, të cilët kanë të bëjnë me raportimin e së vërtetës, përkatësisht të drejtën për t’u përgjigjur.
KMShK ka miratuar ankesën e Fjona Gashit kundër Sinjali.com për shkrimin me titull “Ekskluzive: U filmua duke gjuajtur me armë në aheng – 30-vjeçari paraqitet vetë në Polici në Prizren”, duke konstatuar se është shkelur Kapitulli VII i Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ka të bëjë me privatësinë.
