Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bashkëbiseduar me të rinj në hapjen e Shkollës Verore për Gjininë, Ekonominë dhe Politikën, e cila po mbahet në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Kurti tha se kjo shkollë verore bashkon tri tema që janë thellësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën: gjininë, ekonominë dhe politikën.
“Ekonomia nuk është neutrale ndaj gjinisë. Politika nuk është neutrale ndaj ekonomisë. Dhe demokracia nuk mund të jetë e plotë nëse gjysma e shoqërisë përballet me më shumë pengesa për të punuar, për të pasur pronë, për të udhëhequr, e për të vendosur. Prandaj barazia gjinore për ne nuk mund të jetë vetëm obligim ligjor, e as një temë sektoriale. Është çështje e drejtësisë shoqërore, e zhvillimit ekonomik dhe e cilësisë së demokracisë sonë”, tha Kurti.
Duke folur për politikat publike, ai tha se gjatë viteve të fundit është synuar që fuqizimi i grave dhe vajzave të përkthehet nga parimi në politika, buxhet dhe rezultate të matshme.
“Kemi mbështetur punësimin e mbi 12 mijë grave; kemi përdorur platformën Superpuna për ta lidhur rininë me tregun e punës, nga afër 23 mijë të rinj të punësuar, 51 për qind janë gra e vajza; kemi investuar në arsim dhe në bursa për vajzat në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë, ku janë ndarë 7.277 bursa, prej të cilave 7.042 për vajza apo 97 për qind për vajza; kemi mbështetur me shtesat për lehona dhe fëmijë; kemi mbështetur ndërmarrësinë dhe gratë në bujqësi; dhe e kemi rritur përfaqësimin e grave në vendimmarrje”, tha ai.




