Çmimi i arit shënoi rënie të premten, duke iu afruar nivelit më të ulët në gati tre muaj. Kërkesën për metalin e çmuar e ndikuan shitjet masive të aksioneve të teknologjisë dhe shqetësimet për inflacionin, të nxitura nga rritja e çmimeve të naftës.
Ari tregtohej me 4.015,63 dollarë për ons, duke rënë për 9,19 dollarë, ose 0,23 për qind, deri në orën 06:30 sipas kohës GMT. Gjatë muajit të fundit, çmimi i tij ka rënë për 6,08 për qind, ndërsa krahasuar me një vit më parë, rënia ka arritur në 2,36 për qind.
Kjo rënie erdhi në kohën kur humbjet në tregun e aksioneve të kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale i shtynë investitorët të shesin metale të çmuara, me qëllim mbulimin e humbjeve në pjesë të tjera të portofoleve të tyre.
Shqetësimet lidhur me kostot e investimeve në inteligjencën artificiale u shtuan pasi kompania Meta Platforms prezantoi planet për rritjen e shpenzimeve kapitale. Kjo nxiti frikën se kompanitë e teknologjisë mund të marrin më shumë borxhe për të financuar zgjerimin e tyre.
