Kosova duket se po rrëshqet sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme – jo si rezultat i një domosdoshmërie demokratike, por si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm politik për të ndërtuar konsensus dhe për të funksionalizuar institucionet.
Edhe pse procesi mbetet teknikisht i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, sinjalet politike janë të qarta: vendi po hyn në një tjetër cikël zgjedhor që rrezikon të prodhojë të njëjtin rezultat – bllokadë.
Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja janë pothuajse të pashmangshme.
“Të gjitha indikacionet tregojnë që, pas përfundimit të afateve kushtetuese – cilatdo qofshin ato – Kosovën e pret një proces i ri zgjedhor”, thotë analisti Artan Muhaxhiri.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars, duke pezulluar efektet e dekretit të presidentes.
Kjo nënkupton që, deri atëherë, nuk mund të shpallet data e zgjedhjeve të reja, por as të vazhdohet seanca për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.
Kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Osmanit u dorëzua nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, me argumentin se procesi për zgjedhjen e presidentit ka një afat 60-ditor për t’u përmbyllur.
Një rrugë e trasuar drejt zgjedhjeve
Sipas Donika Eminit, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG, edhe nëse Gjykata vendos në favor të interpretimit të afatit 60-ditor, realiteti politik mbetet i pandryshuar: mungesa e konsensusit e ka bërë zgjedhjen e presidentit pothuajse të pamundur.
“Aktualisht, nuk ka asnjë sinjal për konsensus ndërmjet partive politike për zgjedhjen e presidentit”, thekson ajo për Radion Evropa e Lirë.
Mandati i Osmanit skadon në më pak se dy javë.
Zgjedhja e presidentit në Kosovë bëhet nga Kuvendi dhe kërkon shumicë të kualifikuar votash – gjë që e bën procesin të varur nga kompromisi ndërpartiak. Në rast të dështimit, vendi shkon në zgjedhje.
Disa parti politike po e trajtojnë tashmë skenarin e zgjedhjeve si të kryer.
Kryeministri Albin Kurti shprehet skeptik se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real, duke paralajmëruar një “vazhdim të agonisë legjislative dhe institucionale”.
Në anën tjetër, opozita e sheh përgjegjësinë pikërisht te pushteti.
Sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, mungesa e vullnetit nga shumica parlamentare, po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve, në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim”.
Gjatë një paraqitje në televizionin Klan Kosova, ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partitë politike kanë nisur “ngërçin e ri institucional”.
“Në rrethanat e tanishme, të sigurta janë zgjedhjet e reja. Të sigurta”, tha ai.
E, më pesimist u shpreh Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili paralajmëroi mundësinë e dy palë zgjedhjeve brenda vitit, nëse edhe pas zgjedhjeve të reja nuk arrihet marrëveshje për presidentin.
“Ushtruesi i detyrës mund të qëndrojë vetëm gjashtë muaj, që nënkupton afatin deri më 5 tetor. Nëse deri atëherë nuk kemi as president dhe as qeveri, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shkojë në zgjedhje”, theksoi Gjini për mediat në Kosovë.
Në këto rrethana, pyetja thelbësore që mbetet, është: çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?
Zgjedhje pa ndryshim?
Sipas Eminit, përvoja e viteve të fundit tregon se ciklet e përsëritura zgjedhore nuk kanë sjellë ndryshim substancial në funksionimin e skenës politike.
