Bisedimet për dislokimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës po avancojnë, ndërsa Kosova dhe Shqipëria përmenden në mesin e vendeve që pritet të dërgojnë disa qindra trupa.
Sipas një burimi të përfshirë në negociata, të cilin e citon “The Times of Israel”, po diskutohet dislokimi i rreth 1 mijë e 200 trupave nga Uganda dhe 500 të tjerëve nga Burundi. Kontingjentit pritet t’i bashkohen edhe trupa nga Kosova, Shqipëria, Maroku dhe Kazakistani.
Në bisedime është rikthyer edhe Indonezia, e cila në maj i kishte pezulluar diskutimet për t’iu bashkuar kësaj force.
Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit parashikohet ta marrë gradualisht rolin e ushtrisë izraelite në Gaza dhe të ndihmojë në procesin e çarmatimit.




