Konsullata e Kosovës në Stuttgart ka bërë të ditur se, deri më tani, nuk ka informacione zyrtare që ndonjë shtetas i Kosovës të jetë mes viktimave apo të lënduarve në aksidentin e rëndë hekurudhor që ndodhi të dielën në afërsi të qytetit Riedlingen, në landin Baden-Württemberg të Gjermanisë.
Në një njoftim zyrtar, Konsullata bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të verifikuar situatën pas daljes nga shinat të një treni rajonal me rreth 100 pasagjerë, si pasojë e një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga shirat e rrëmbyeshëm.
“Aktualisht nuk ka konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Republikës së Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve, por jemi në pritje të informacioneve shtesë nga autoritetet përkatëse,” thuhet në njoftim.