Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po shkon drejt fundit të gjykimit, ku më 9 shkurt pritet të fillojnë seancat me fjalët përfundimtare të palëve.
Nga 9 deri më 18 shkurt, Prokuroria e Specializuar, trupi gjykues dhe mbrojtja e të akuzuarve do të thonë fjalët e tyre. Në fund, të drejtën për fjalim e kanë edhe katër të akuzuarit, ku secili do të ketë në dispozicion 20 minuta për të dhënë versionin e tij mbrojtës.
Në prag të këtyre seancave, avokati i akredituar nga Specialja, Artan Qerkini, tha se mbrojtja ka kryer punën e saj me dëshmitarë të fuqishëm.
“Mbrojtja do ta paraqesë fjalën përfundimtare. Mbrojtja e ka strategjinë e saj të qartë: nuk ka ekzistuar përgjegjësia komanduese dhe nuk ka ekzistuar e ashtuquajtura ndërmarrje e përbashkët kriminale. Këtë teori mbrojtja e vërtetoi duke thirrur dëshmitarët e saj, të cilët po ashtu vërtetuan se këto dy baza të përgjegjësisë penale nuk përkojnë me katërshen e akuzuar”, tha Qerkini për RTK.
