Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendës-adjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Charles H. Lampe.
Sipas njoftimit të FSK-së, Jashari i ka uruar mirëseardhje gjeneralit amerikan, duke e përgëzuar edhe për marrjen e detyrës së re në Gardën Kombëtare të Ajovës.
Gjatë takimit, të dy gjeneralët kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të këtij partneriteti.
Në fokus të diskutimeve ishte Programi i Partneritetit Shtetëror (State Partnership Program), përmes të cilit synohet zhvillimi i aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe avancimi i kapaciteteve profesionale.


