Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kaluan vite duke treguar se sa shumë i ndan politika.
LVV-ja, madje, ndërtoi një pjesë të identitetit të saj politik mbi kritikat ndaj qeverisjeve të PDK-së.
Megjithatë, kur u përballën me mundësinë e zgjedhjeve të reja, dy rivalët gjetën një emër të përbashkët: Justina Shiroka Pulën, ish-ministre e PDK-së, të cilën LVV-ja e propozoi për presidente.
Kompromisi u arrit në orët e fundit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit dhe përfshiu edhe një çështje tjetër: ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat PDK-ja i kishte propozuar dhe LVV-ja kishte shprehur dyshime për efektet e tyre.
Në fund, Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota, ndërsa ndryshimet ligjore u miratuan me 88 vota.
Por, çfarë e bëri një ish-zyrtare të PDK-së të pranueshme për LVV-në? Dhe, a ishte kompromisi shenjë e afrimit mes dy partive apo thjesht rezultat i interesave që u përputhën në një moment vendimtar?
Nga përplasjet te shtrëngimi i duarve
Më 6 tetor, jashtë Kuvendit të Kosovës, protestuesit kërkonin ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Tensionet ishin të larta pas përleshjeve të një nate më parë, kur policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit kishin hedhur gurë dhe mjete piroteknike.
Brenda Kuvendit, partitë përballeshin me një tjetër presion: nëse nuk arrinin ta zgjidhnin presidentin, vendi rrezikonte të shkonte në zgjedhje të reja parlamentare – të katërtat në më pak se dy vjet.
Megjithëse LVV-ja kishte nevojë për votat e PDK-së për presidentin, ndërsa PDK-ja për mbështetjen e LVV-së për ndryshimet ligjore, dy partitë vazhdonin të përplaseshin publikisht.
Kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e akuzonte PDK-në se nuk pranonte të takohej për të arritur marrëveshje.
“Përveçse nuk duan bashkëpunim, tash nuk duan as takim. Atëherë, si mund të kërkohet marrëveshje pa takim, pa bisedim, pa bashkëpunim”, deklaronte Kurti.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e paraqiste ndryshe pengesën.
“Kemi pasur mjaftueshëm takime. Unë në Kuvend kam qenë. Gjithë ditën këtu kam qenë. Por, me takime me ndryshime të qëndrimeve, është problem të arrihet te marrëveshja. Nuk ka seriozitet”, thoshte ai.
Përplasjet nuk i ndalën ofertat.
Brenda pak më shumë se tetë orësh, Kurti doli tri herë para mediave, duke paraqitur emra dhe kushte të ndryshme për marrëveshjen.
Fillimisht propozoi Bekim Sejdiun, më pas Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin, duke e lidhur në secilin rast zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.
Në konferencën e tretë, ai paraqiti një emër tjetër: Justina Shiroka Pula.
“Edhe pse nuk e kemi pasur mundësinë të bisedojmë me zonjën Shiroka Pula, për Partinë Demokratike të Kosovës është një emër i pranueshëm për presidente”, deklaroi Hamza.
Brenda minutash, përfaqësuesit e dy partive shtrënguan duart.
Më vonë, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore dhe kaloi në zgjedhjen e presidentit. Për këtë pozitë ishin propozuar dy kandidatura: Justina Shiroka Pula dhe Eliza Hoxha.
Shiroka Pula siguroi 81 vota dhe, në minutat e para të 7 tetorit, u betua si presidente e Kosovës.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe për përforcimin e institucioneve tona”, deklaroi ajo.
Dy interesa, një marrëveshje
Secila nga partitë e paraqiti marrëveshjen si sukses.
PDK-ja mori mbështetjen për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat kishin qenë ndër kërkesat kryesore të protestuesve pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; LVV-ja siguroi zgjedhjen e presidentes dhe shmangu rrezikun e zgjedhjeve të reja.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pranon se shmangia e një tjetër procesi zgjedhor ishte pjesë e llogaritjeve të tyre politike dhe se partia vazhdon të mbetet skeptike se ndryshimet në Ligjin për Specialen do të ndikojnë në dënimet e ish-krerëve të UÇK-së.
“Natyrisht, në këtë situatë kemi vepruar me besimin se akademike Justina Shiroka Pula do ta kryente me përgjegjësi të lartë mandatin e saj si presidente e vendit. Pra, është një person te i cili kemi besim dhe këtë e dëshmuam edhe me votën tonë”, thotë Nagavci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Ajo e arsyeton përzgjedhjen e një ish-zyrtareje të PDK-së me përgatitjen profesionale, integritetin dhe përvojën e saj.
Sipas Nagavcit, Shiroka Pula është e vetëdijshme për përgjegjësinë që të qëndrojë mbi partitë politike.
Vetë presidentja nuk i shpjegoi publikisht rrethanat e kandidimit të saj, përfshirë nëse ishte konsultuar paraprakisht me partitë dhe çfarë e bindi ta pranonte propozimin e Kurtit.
As PDK-ja nuk dha një shpjegim të hollësishëm për arsyet e mbështetjes së saj.
Zyrtarët e kësaj partie nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse kishin diskutuar për kandidaturën e Shiroka Pulës përpara propozimit të Kurtit dhe çfarë e bëri atë të pranueshme.
Megjithatë, emri i saj nuk ishte i ri në diskutimet për Presidencën.
Në mars, kur partitë po kërkonin një pasuese të Vjosa Osmanit, gazeta KOHA raportonte se Shiroka Pula ishte ndër emrat që kishin mbështetje brenda PDK-së për një kandidaturë konsensuale.
