Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar informacione të detajuara për kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë, pas pyetjeve të shumta të pranuara nga publiku ditëve të fundit.
Përmes një njoftimi, Dhomat e Specializuara kanë theksuar se kushtet në objektin e paraburgimit janë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare për trajtimin e të burgosurve, duke garantuar respektimin e dinjitetit njerëzor dhe ndalimin e çdo forme diskriminimi.
Sipas Speciales, të paraburgosurit kanë mundësi të dalin çdo ditë në ajër të pastër, të ushtrojnë aktivitete fizike dhe të marrin pjesë në sporte të ndryshme, përfshirë tenisin dhe futbollin.
Përveç aktiviteteve sportive, atyre u mundësohet edhe kopshtaria, piktura, gatimi dhe kalimi i kohës së përbashkët me të paraburgosurit e tjerë. Spias njoftimit, gjithashtu, kanë qasje në shërbesa fetare, materiale shkrimi, mësime të gjuhëve, libra, revista, gazeta dhe programe televizive e radiofonike në gjuhën shqipe.
Sa i përket ushqimit, Specialja bën të ditur se të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë, të cilat përshkruhen si të shumëllojshme dhe në përputhje me standardet ushqyese. Ata që dëshirojnë mund ta përgatisin vetë ushqimin, duke shfrytëzuar pajisjet e hapësirat e gatimit, si dhe mund të blejnë produkte ushqimore nga furnizues të jashtëm.
Në njoftim sqarohet se të paraburgosurit nuk mund të mbajnë para të gatshme, por secili ka një llogari personale kredie, në të cilën mund të shtohen mjete financiare për blerjen e produkteve.
Një pjesë e veçantë e njoftimit i kushtohet kontakteve me familjarët. Sipas Speciales, çdo i paraburgosur ka në dispozicion dhjetë ditë në muaj për vizita nga familja dhe miqtë. Kontaktet mund të realizohen edhe përmes telefonatave, letërkëmbimit dhe videolidhjeve.




