Dhuna ka shpërthyer të shtunën në Tiranë, gjatë një proteste të udhëhequr nga studentët, ku është kërkuar dorëheqja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pas disa muajsh protestash kundër qeverisë.
Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve Reuters, protestuesit ishin mbledhur në kryeqytet në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku kanë hedhur gurë dhe koktej molotovi në drejtim të policisë së rendit.
Policia është kundërpërgjigjur me topa uji, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Protestat janë nxitur nga pakënaqësitë për korrupsionin e pretenduar në qeveri, mungesën e vendeve të punës dhe cilësinë e dobët të arsimit. Ato kanë nisur që nga mesi i tetorit në Tiranë dhe më pas janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit.
Gjatë javëve të fundit, disa prej protestave kanë përfunduar me përleshje, djegie të ndërtesave qeveritare dhe bankave, thyerje të vitrinave të dyqaneve dhe përplasje me policinë.
Në protestën e së shtunës, disa demonstrues të maskuar kanë gjuajtur me gurë drejt një ndërtese qeveritare dhe janë përpjekur të afrohen te zyra e kryeministrit Rama, por janë ndaluar nga policia, raporton Reuters, duke iu referuar gazetarit të saj në terren.
“Ka ardhur fundi. Korrupsioni, varfëria, emigrimi”, ka deklaruar Eralda Baze, 45-vjeçare, inxhiniere që mori pjesë në protestë.
Protestues të tjerë kanë kërkuar kushte më të mira jetese dhe përmirësim të sistemit shëndetësor.
“Shqipëria nuk është në shitje”
Një nga pankartat e bartura nga protestuesit kishte mbishkrimin “Shqipëria nuk është në shitje”.




