Rritja e vazhdueshme e çmimeve po rëndon më shumë jetën e qytetarëve dhe po vështirëson punën e bizneseve në Kosovë, ndërsa pritjet për një lehtësim të shpejtë të situatës mbeten të zbehta.
Inflacioni vjetor në shtator arriti në 7,8 për qind, me transportin dhe shpenzimet e banimit e të energjisë ndër kategoritë që shënuan rritjet më të mëdha.
Përballë kësaj situate, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe ekonomisti Bashkim Mustafa kërkojnë masa konkrete nga Qeveria për të zbutur ndikimin e çmimeve te qytetarët dhe sektori privat.
Rafuna, për Ekonomia Online, thotë se inflacioni është rezultat i ndërthurjes së faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, duke veçuar çmimin e energjisë elektrike, mënyrën e daljes së bizneseve në tregun e lirë dhe shtrenjtimin e derivateve të naftës.
“Janë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm që kanë ndikuar që ta kemi një inflacion kaq të lartë. Faktori i brendshëm është çmimi i energjisë elektrike, edhe nxjerrja e bizneseve në tregun e lirë pa një plan të mirë, të menduar, edhe pa një mundësi në një fazë të tranzicionit, se asnjë biznes nuk ka qenë kundër daljes në tregun e lirë”, ka thënë Rafuna.
Ai ka theksuar se zhvillimet gjeopolitike dhe rritja e çmimeve të derivateve të naftës po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë vendore, ndërsa varësia nga importi e bën Kosovën më të ekspozuar ndaj inflacionit të jashtëm.
“E dyta, janë faktorë gjeopolitikë, sidomos çmimi i derivateve të naftës, rritja e çmimit të derivateve të naftës. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se ne importojmë edhe në sasi shumë të madhe të mallrave, prandaj kemi deficit shumë të lartë tregtar dhe bashkë me importin, importojmë edhe një sasi të inflacionit”, ka deklaruar ai.
Përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve, Rafuna vlerëson se Qeveria duhet të përgatisë një paketë konkrete masash për të zbutur ndikimin e inflacionit, duke përmendur si mundësi uljen e akcizës ose të tatimit mbi vlerën e shtuar për derivatet e naftës.
“Ky është një shqetësim që e kemi, që askush nuk po merret me trajtimin ose me rimodelimin e një pakete që do të ndihmonte në uljen e inflacionit apo së paku në zbutjen e inflacionit, siç e quajmë ne. Nuk është ndonjë zbulim i madh, shumë shtete të Bashkimit Evropian tani kanë ndërmarrë masa dhe ne kemi kërkuar që Qeveria e Republikës së Kosovës, sidomos te pjesa e derivateve të naftës, ta ulë tatimin e akcizës apo tatimin e vlerës së shtuar, bashkërisht prej kalkulimeve që i bën”, ka thënë Rafuna.
Sipas tij, edhe në rastet kur ndihma nuk mund të shtrihet te të gjithë qytetarët, Qeveria duhet të ndërhyjë në sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë.
“Por edhe në qoftë se nuk ka mundësi që t’u ndihmohet një numri shumë të madh të qytetarëve, atëherë së paku të përqendrohet në disa sektorë që janë të rëndësisë së veçantë dhe që kanë impakt te produktet ose te jeta e përditshme e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për shembull, e kemi sektorin e bujqësisë, e kemi sektorin e transportit, qoftë të mallrave, qoftë të udhëtarëve dhe kështu me radhë”, ka deklaruar ai.
Rafuna ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe derivateve të naftës e rrit koston operative të bizneseve, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të produkteve. Sipas tij, kjo mund t’i vendosë prodhuesit vendorë në pozitë të pafavorshme përballë produkteve të importuara nga vendet ku bizneset subvencionohen.
“Për këtë arsye, Qeveria duhet të përgatisë një paketë, duhet t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës, duhet t’i ndihmojë bizneset në mënyrë që, së pari, prodhimet tona të mos dalin më të shtrenjta sesa produktet e importuara. Duhet ta kemi parasysh që çdo rritje e çmimit të derivateve të naftës apo energjisë elektrike është kosto operative për biznesin dhe ndikon drejtpërdrejt në koston e produktit final. Dhe në qoftë se vendet e tjera i subvencionojnë bizneset e tyre, atëherë padyshim produkti që importohet prej atyre vendeve është i subvencionuar në raport me prodhimin tonë”, ka thënë Rafuna.
Ai ka shtuar se bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe sektorit privat është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhje që do t’i ndihmonin bizneset të përballojnë kostot dhe qytetarët të mos e ndiejnë aq rëndë rritjen e çmimeve.
“Për këtë arsye, Qeveria duhet të qëndrojë afër bizneseve tona, në bashkëpunim me sektorin privat, ta përgatisë një paketë që do t’i ndihmojë së pari bizneset dhe përmes bizneseve t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të mos ta ndiejnë kaq thellë inflacionin. Inflacioni e gërryen qytetarin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
Kryetari i OEK-ut ka bërë të ditur se kjo e fundit i është drejtuar me shkresë kryeministrit që në muajt e parë të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, por se zhvillimet politike dhe bllokadat institucionale e kanë vështirësuar trajtimin e kërkesave.
“Kryeministrit i jemi drejtuar me shkresë qysh në muajt e parë kur filloi të rritet çmimi i derivateve të naftës. Ndërkohë, ishin këto bllokada politike në Qeverinë në detyrë. Tani, meqenëse është fuqiplotë edhe Qeveria, edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, do ta realizojmë shpejt një takim ose me kryeministrin, por edhe me ministrat e resorëve përkatës, që t’i paraqesim kërkesat tona”, ka deklaruar Rafuna.
Ai ka bërë të ditur se çështja e inflacionit dhe mbrojtja e bizneseve janë diskutuar edhe në takimin me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
