Deputeti i Aleancës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka folur për Milan Radoiçiqin dhe zhvillimet politike në raport me përfaqësuesit e Listës Serbe, duke përmendur edhe ministrin Nenad Rashiq.
Haradinaj tha se Radoiçiqi e kishte lëshuar Kosovën gjatë kohës sa ai ishte në krye të Qeverisë.

Haradinaj në emisionin “Politiko” në Kanal 10, ka bërë edhe një krahasim mes Rashiqit dhe Radoiçiqit, duke thënë se edhe përfaqësues të tjerë politikë serbë mund të ndryshojnë qëndrime me kalimin e kohës.
“Radoiçiqi në kohën time e ka lëshuar Kosovën, jo në të tyren. Njëjtë si ky që handarevet me Rashiqin. Edhe Rashiqi mund të bëhet Radoiçiq, edhe çdo nënkryetar serb një ditë mund ta ndërrojë anën. Nuk e di a dallojnë ndonjëherë, mund të bëhen më të zi se ai”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka kujtuar edhe kohën kur ishte kryeministër dhe takimet që kishte zhvilluar me Radoiçiqin, në cilësinë e këtij të fundit si përfaqësues i Listës Serbe.
Haradinaj ka përmendur si vendime të kohës së qeverisjes së tij edhe shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje të Kosovës, formimin e ushtrisë dhe vendosjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë.