Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ka kritikuar disa prej pikave që janë arritur në dialgun me Serbinë, duke e konsideruar atë si gabim të madh të Qeverisë Kurti.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ajo ka thënë se çështja e Kishës Ortodokse Serbe dhe pika 7 e Marrëveshjes në Bruksel dhe Aneksit në Ohër janë problematike për Kosovën.
“Gabim ka qenë çështja e Kishës Ortodokse të futet në dialogun e Brukselit dhe kjo asnjëherë nuk ka qenë temë në dialog. Këtu besoj se ka qenë dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe mendoj se këtu ka dëmtuar karakterin unitar të shtetit. Dhe, me atë që ka pranuar pikën 7 në Marrëveshjen e Brukselit ka dëmtuar rëndë dhe u ka lënë si barrë edhe qeverive të ardhshme.”, ka thënë Haradinaj.
Ajo ka shtuar se me gjithë presionet, qeveritë e kaluara kishin rezistuar dhe refuzuar që në dialog të futeshin disa tema, përfshirë edhe ajo për Kishën Ortodokse Serbe.




