Gjatë ditës së nesërme pritet të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari.
Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën më 11 nëntor 2025, pas hetimeve lidhur me blerjen e rezervave shtetërore gjatë vitit 2022.
Sipas Prokurorisë, veprimet e të akuzuarve dyshohet se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej 2 milionë e 912 mijë eurosh.
Dyshimet lidhen me kontratat për blerjen e grurit nga një kompani turke, si dhe të vajit dhe sheqerit nga një kompani polake, në kuadër të furnizimit të rezervave shtetërore.
Hajdari akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, të dyja në bashkëkryerje.
Me të njëjtat akuza përballen edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Ky i fundit akuzohet edhe për një vepër të veçantë të zbulimit të fshehtësisë zyrtare.
Ndërkaq, biznesmeni Ridvan Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.


