Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje deri tash ka propozuar kandidatë për Kryeparlamentar që mbajnë “rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pa përmendur emra, Tahiri ka thënë se dihet kush do të jetë kandidati i radhës .
Deri tani, Vetëvendosja ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin.
Postimin e tij e ka nisur me Albulena Haxhiun, emri i së cilës ështe hedhur disa herë në votim.
“Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë”, ka shkruar Tahiri.
Për Donika Gërvallën, ka thënë se ajo “ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thotë se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim”.
Gërvalla ka thënë dje se nuk është dëshmitare e Hagës dhe se s’ka kontakt e as s’ka dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale.