Michael Durkee, ish-këshilltari i Wesley Clark, ka vazhduar edhe sot dëshminë në Hagë.
Para Dhomave të Specializuara të gjykatës atje, ai u paraqit për herë të parë pasditen e së mërkurës.
Të enjten, ai u rikthye sërish për të folur në kohën e pasluftës në Kosovë.
“Perceptimi im, por edhe i UNMIK-ut dhe KFOR-it, ishte që refugjatët që po ktheheshin, të dëbuar nga forcat e Millosheviqit nga Kosova, në dimrin e egër ‘98-‘99, po ktheheshin në fshatrat e tyre dhe po shikonin se shtëpitë dhe pronat e tyre ishin shkatërruar, miqtë, shokët dhe fqinjët nuk ishin më aty. Kishte nivele të ndryshme të shkatërrimit të jetës së përditshme të jetës së shqiptarëve të Kosovës. Shumë prej tyre reaguan me dëshirën për hakmarrje e mëri, me inat”.
Ai tha se shqiptarët e kthyer në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës, ndiheshin se ishin tradhtuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta.
“Nëse shohim se çfarë ka ndodhur në pranverën ‘99, dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin vetëm me kontrollin e qeverisë serbe, por edhe të grupeve paramilitare, të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Dhe në shumë vende, këta banorë lokalë serbë jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe. Kjo është dirigjuar kryesisht nga MPB-ja serbe”.
“Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës po shihnin se po trajtoheshin në këtë mënyrë nga persona që jetonin në rrethana të ngjashme në ato fshatra e qyteza, besoj se është e kuptueshme se ata më pas kishin dëshirë për hakmarrje, sepse ndiheshin që ishin tradhtuar dhe viktimizuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta”, deklaroi Michael Durkee, ish-këshilltari i Wesley Clark.
Ndër të tjera, ai foli edhe për Kanunin, si dhe për grupe kriminale që funksionin në Kosovë në periudhën e pasluftës.
“Duhet të bëhet dallimi dhe t’i referohemi traditës së Kanunit të shqiptarëve, idesë së nderit personal, rëndësisë dhe mbrojtjes së nderit personal. Kjo donte të thoshte se kur një anëtar i familjes ishte sulmuar nga një person nga i njëjti fshat e qytetzë, e gjithë familja ndiente përgjegjësinë për larje hesapesh”.
“Në historinë e Kanunit, disa prej këtyre gjakmarrjeve mund të ketë zanafillën shumë breza më përpara, nuk kanë të bëjnë domosdoshmërisht me konfliktin. Në Kanun theksohet shumë siguria, mbrojtja, avancimi i familjes kundër situata jomiqësore, sulmet nga persona tjetër, dhe familja është në bazë të gjithçkaje dhe ka rëndësinë më të madhe nga gjithçka tjetër”.
