Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi i cili është djali i Jakup Krasniqit, ka shkruar për babain e tij, duke treguar se ish-zëdhënësit të UÇK-së sot i bëhen 15 vjet në burgje.
Ai teksa rikujtoi sakrificën e babait të tij, tha se është duke e duruar një padrejtësi, ndonëse i shtyer në moshë, duke iu referuar arrestimit nga Gjykata Speciale e Hagës, atje ku po mbahet në Dhomat e Specializuara.
Shkrimi i plotë:
Sot, babait tim i bëhen 15 vjet në burgje.
Sepse zgjodhi lirinë e një populli, e jo lirinë e tij;
zgjodhi luftën kundër gjenocidit serb, e jo heshtjen ndaj tij;
zgjodhi Kosovën shtet, e jo më kurrë nën Serbi.
Në vend që ta shijonte rolin e gjyshit me mbesat e tij, çdo ditë e më shumë po plaket në qeli, larg vendit të tij.
Prandaj, sot, ende në moshën 74 vjeçare, po duron padrejtësi.
Babë, edhe pse s’munde ta shijosh as rininë, as pleqërinë,
e shijove Kosovën e lirë, të cilës aq shumë i dhe.
_______________________________________
Nga burgjet e Jugosllavisë, te qelitë e Hagës.
Jakup Krasniqi u arrestua dhe më 4 prill 1981 u dënua me 14 vite burg nga sistemi fashist i Jugosllavisë, që udhëhiqej nga të njëjtat politika gjenocidale të Serbisë së sotme.
Në rigjykimin që iu bë, u dënua me 15 vite burg, sepse kishte thënë: “Unë nuk jam jugosllav, unë jam shqiptar.”
Megjithatë, ai mbajti 10 vjet, 3 muaj dhe 19 ditë burg, për t’u liruar më 23 korrik 1991.
Rreth tri dekada më vonë, ai vihet sërish në pranga.
Jo nga Beogradi.
Jo nga UDB-ja.
Jo nga serbët.
Por nga ata që u betuan se do të sillnin drejtësi ndërkombëtare.
Ata që heshtën për masakrat e Serbisë, por u ngutën të hapin dosje për çlirimtarët.
Jakup Krasniqi, sot në moshën 74-vjeçare, vazhdon të mbahet në paraburgim, jo për atë që bëri, por për atë që përfaqëson: historinë e lavdishme të një populli, masakrat e të cilit ende nuk kanë gjetur drejtësi, dhe lirinë e një populli të shtypur e të vuajtur që me shekuj ishte lënë në harresë nga bota perëndimore.