Në mesin e qindra kadetëve të rinj që iu përgjigjën aksionit për dhurim vullnetar të gjakut në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike ishte edhe djali i rreshterit hero të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili së bashku me kolegët e tij dha kontribut për pacientët në nevojë.
Aksioni humanitar u organizua më 1 dhe 2 qershor në bashkëpunim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Kosovës për Dhurimin Vullnetar të Gjakut, me iniciativë të Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore të Policisë së Kosovës.
Në total, 298 kadetë të rinj policorë, të cilët aktualisht janë duke vijuar trajnimin bazik në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe pjesëtarë të stafit policor, dhuruan gjak për të ndihmuar pacientët që kanë nevojë për transfuzion.
