Ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, Christopher Hill, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se është çuditur dhe zhgënjyer nga dënimet e shqiptuara.
Në një intervistë për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Hill ka folur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendimin e shkallës së parë dhe për dëshminë e tij në Hagë në mbrojtje të Hashim Thaçit.
“Reagimi im i parë, me sinqeritet, mund t’ju them, është se është e vështirë të parashikosh se cili do të ishte vendimi. Kur e dëgjova këtë dënim me 25 vite, u çudita dhe isha shumë i zhgënjyer”, ka deklaruar Hill.
Ai ka rikujtuar se kishte dëshmuar në mbrojtje të Thaçit dhe se, sipas përvojës së tij gjatë luftës, ish-presidenti i Kosovës kishte qenë i angazhuar në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore.
“Kisha folur në mbrojtje të zotit Thaçi te Tribunali në Hagë dhe, sipas këndvështrimit tim, ai ka qenë gjithmonë pranë meje dhe po përpiqej të gjente një mënyrë paqësore për luftën”, ka thënë Hill.
Ai ka shtuar se, ndonëse është i zhgënjyer nga aktgjykimi, bëhet fjalë për një vendim gjykate dhe se tash duhet pritur hapat e mëtejshëm të ekipeve mbrojtëse.




