Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se të mërkurën ka pranuar zyrtarisht Studimin për vlerat natyrore të Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit, i cili paraqet bazën për nisjen e procedurave për shpalljen e këtyre zonave si territore të mbrojtura.
Përmes një njoftimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se studimi dëshmon biodiversitetin e pasur dhe potencialin turistik të këtyre dy zonave, duke ofruar një bazë shkencore për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.
Ajo ka theksuar se pas pranimit të këtij dokumenti, Ministria do të nisë procedurat e mëtejshme për ta përcjellë nismën për votim përfundimtar në Kuvend.

