Banorët e fshatit Lybeniq kanë reaguar ndaj deklaratës së ministres Fitore Pacolli lidhur me rrugën në Bjeshkën e Lybeniqit, e cila është cilësuar si ndërtim i paligjshëm dhe dëmtim i natyrës.
Në reagimin e tyre, banorët sqarojnë se bëhet fjalë për një rrugë të vjetër ekzistuese, të cilën kanë nisur ta pastrojnë dhe zgjerojnë me mjete vetanake, me qëllim që ajo të bëhet e kalueshme.
Ata theksojnë se qëllimi i kësaj iniciative nuk është dëmtimi i natyrës, por mbrojtja, rehabilitimi dhe zhvillimi i bjeshkës.
Reagimi i plotë:
ZYRTARE
REAGIM NË EMËR TË FSHATIT LYBENIQ
E nderuara ministre Fitorë Pacolli,Fitore Pacolli
Me shqetësim e kemi parë deklaratën tuaj lidhur me rrugën në Bjeshkën e Lybeniqit, ku po thuhet se kemi të bëjmë me ndërtimin e një rruge ilegale dhe dëmtim të natyrës.
Dëshirojmë t’ju sqarojmë se kjo rrugë nuk është një rrugë e re e hapur në mes të bjeshkës, por një rrugë e vjetër ekzistuese, të cilën ne si fshat, me mjete dhe mundësi vetanake, kemi filluar ta pastrojmë dhe zgjerojmë në mënyrë që të bëhet e kalueshme.
Interesat tona si fshat nuk janë dëmtimi i natyrës, por mbrojtja, rehabilitimi dhe zhvillimi i bjeshkës sonë.
E nderuara ministre,
Bjeshka e Lybeniqit nuk është vetëm një pasuri natyrore. Ajo është pjesë e historisë, dhimbjes dhe sakrificës së popullit tonë.
Gjatë luftës së vitit 1999, në këtë bjeshkë dhe në fshatin tonë u vranë shumë civilë, burra, gra dhe fëmijë. Lybeniqi është ndër fshatrat më të prekura nga lufta, me shumë familje të dëmtuara dhe jetimë si pasojë e regjimit jugosllav.
Prandaj, rehabilitimi i kësaj bjeshke dhe rikthimi i jetës në të janë një obligim moral dhe kombëtar për ne.
Para dy vitesh, kur bjeshka jonë u përfshi nga zjarri, ne si banorë të Lybeniqit u mobilizuam për dy javë rresht. Duke mos pasur mundësi të depërtonim me mjete të rënda për shkak të mungesës së një rruge të kalueshme, ujin e bartëm në shpinë dhe me përkushtim arritëm ta lokalizonim zjarrin dhe ta ndalnim përhapjen e tij.
A nuk është kjo dëshmi se ne duam ta mbrojmë bjeshkën tonë?
E nderuara ministre, rruga ekzistuese nuk është e kalueshme për mjete të rënda. Pikërisht kjo e vështirëson ndërhyrjen në rastet e zjarreve dhe fatkeqësive të tjera.
Qëllimi ynë është që bjeshkën ta bëjmë një vend turistik, ta shfrytëzojmë për kullota, t’i rikthejmë jetën staneve dhe ta ruajmë atë bukuri natyrore që e kemi mbrojtur me aq shumë fanatizëm ndër vite.
Përkundër pretendimeve të shumta për prerje të pyjeve dhe degradim të natyrës nga persona që nuk janë banorë të Lybeniqit, ne kemi qenë ata që e kemi ruajtur dhe mbrojtur këtë pasuri.
Lybeniqi ka nevojë për përkrahje, jo për pengesa.
Ne jemi qytetarë të Kosovës dhe kërkojmë të drejtat tona të barabarta. Kërkojmë që edhe fshati ynë të ketë mundësi për zhvillim, turizëm, infrastrukturë dhe jetë më të mirë.
Prandaj, në emër të banorëve të Lybeniqit, ju bëjmë thirrje që të mos e shihni këtë iniciativë vetëm si një çështje ndërtimi, por ta vlerësoni në kontekstin e nevojave tona jetike.
Kërkojmë nga ju dhe nga institucionet përkatëse që të gjendet një zgjidhje ligjore dhe të mundësohet rehabilitimi i rrugës së vjetër Lybeniq–Strellc, duke respektuar dhe mbrojtur natyrën.
Ne nuk kërkojmë të shkatërrojmë bjeshkën tonë. Ne kërkojmë ta mbrojmë, ta zhvillojmë dhe t’ua lëmë brezave të ardhshëm.
Bjeshka e Lybeniqit është pasuria jonë, historia jonë dhe përgjegjësia jonë.
Në fund, mbesim me shpresë për një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme për të gjithë.
Ju rikujtojmë se më datë 07.06.2026, ju kemi drejtuar me një kërkesë për ndihmë dhe ndërmjetësim lidhur me zgjidhjen e këtij problemi.
Shpresojmë që kërkesa jonë të merret parasysh dhe që, përmes bashkëpunimit me ju dhe me institucionet përkatëse, të gjendet një zgjidhje ligjore që u mundëson banorëve të Lybeniqit rehabilitimin e rrugës ekzistuese Lybeniq–Strellc, në interes të fshatit tonë.
Ne besojmë se përmes mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe vullnetit institucional, ky problem mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë.
Në emër të fshatit Lybeniq